Gatuaj dhe shijo

“Dashuria fillon nga stomaku”
– është shprehja që gjendet pothuajse në të gjitha vendet e botës, duke nxjerrë në pah rëndësinë që ka të ushqyerit në jetën e njeriut. Ju mund t’i jepni jetë kësaj dashurie, duke mësuar të gatuani përmes praktikimit të recetave të pafundme të librit “Gatuaj dhe shijo”. Ky libër është fryt i një pune disavjeçare dhe është një ndër të parët e këtij lloji, të botuar në gjuhën shqipe. Të gjitha amvisat do të kenë mundësi të gjejnë në këtë botim mbi 300 receta me gatime të shijshme e aromatike të ushqyeshme, të lehta e të thjeshta për t’u gatuar. Ju mund të prekni nga afër kuzhinën e të gjitha vendeve të botës, thjesht duke respektuar udhëzimet e shprehura në secilin prej recetave.
Libri “Gatuaj dhe shijo” është një këshillues i vlefshëm, që duke e mbajtur pranë, mëson të kombinosh e të zgjedhësh me lehtësi sesi mund të gatuhet me shije. Recetat janë të larmishme dhe nisin nga tradita shqiptare e deri te pjatat tradicionale të Lindjes së Mesmes, turke, evropiane etj., dhe çdo gatim ilustrohet e përshkruhet hap pas hapi, duke nisur nga antipastat e deri tek ëmbëlsirat.
Krahas ngritjes së kulturës dhe krahas asaj çka dimë nga përgatitja e ushqimit, duke pasur këtë libër pranë, ne mund të rrisim njohuritë për përgatitjen e disa gatimeve, që nuk janë pjesë e kuzhinës sonë. Çdo recetë është e shoqëruar me fotografi, kështu që pas çdo përgatitjeje, ju e dini si do të duket gatimi. Gjithashtu, mënyra e përgatitjes së gatimeve përshkruhet hap pas hapi me detaje. Kjo është një ndihmë e madhe për të gjithë, kur është fjala për zgjedhjen e recetës dhe mënyrën e përgatitjes së saj.
Në këtë libër, ndryshe nga librat e tjerë, ka shumë receta të lehta për t’u gatuar nga çdo amvisë. Jemi të bindur që ky botim do të jetë një mik i mirë dhe i mirëpritur për përgatitjen e të gjitha llojeve të ushqimeve, nga ana e të gjithë të apasionuarve pas artit të bukur të kuzhinës.
Këshillë: Përmbajuni recetave, masës së përbërësve dhe kohës së përgatitjes, në mënyrë që rezultati të jetë ai i dëshiruari! Nëse mundoheni ta realizoheni si duhet recetën, por për momentin nuk gjeni ndonjë nga përbërësit, atëherë eliminojeni, por megjithatë përpiquni që ato më të rëndësishmet t’i përdorni.
Në librin “Gatuaj dhe Shijo” janë përfshirë mënyra të përgatitjes së ushqimeve dhe ëmbëlsirave, jo vetëm nga vendi jonë, por dhe nga vende të ndryshme përtej kufirit tonë. Pra, do të gjeni një gamë të gjerë të përgatitjes së ushqimeve. Jemi përpjekur ta përmbledhim këtë libër në disa kapituj, që nga antipastat, supat e ndryshme, gjellërat e sallatat deri tek ëmbëlsirat. Në fund të librit do të mund të gjeni edhe shumë këshilla të vlefshme e të dobishme për kuzhinën tuaj dhe informacione të ndryshme.
Në përgatitjen e këtij libri është punuar me kujdes për të bërë përzgjedhjen e duhur të recetave dhe për t’i sjellë çdo familjeje shqiptare, diçka të mirë, të lehtë dhe të dashur në lëmin e gastronomisë. Kjo përmbledhje ka receta të përshtatura nga gjuhë të tjera në gjuhën tonë, apo edhe receta nga përvoja personale e bashkautorëve të librit, të cilat janë Adelina Sula, Gladiola Kodra dhe Krenita Hakrama. Secila prej tyre ka përvojë në fushën e gatimit dhe nëpërmjet këtij libri kanë dashur që njohuritë e tyre në këtë fushë t’ua përcjellin edhe çdo amvise që është e interesuar, që çdo ditë të sjellë diçka ndryshe në tavolinën e saj.
Duke pasur receta të lehta për t’u gatuar, ky libër do të jetë i përshtatshëm për këdo, pavarësisht nga niveli të njohurive në kuzhinë. Megjithatë, kur gatuani kini paraqysh zbatimin e recetës me përpikëri, por pse jo, mund të futni edhe fantazinë dhe dashurinë tuaj. Gatuani me zemër, gatuani me dashuri, sepse rezultati i tërë kësaj do t’ju gëzojë juve dhe tërë familjen!
Shpresoj që ky libër t’ju vijë të gjithëve në ndihmë. Gatimi është të jetuarit, sepse sa ekziston jeta, po aq duhet edhe ushqimi.
Description
Titulli:
Gatuaj dhe shijo
Faqe: 408
Autorë:
Adelina Sula, Gladiola Kodra, Krenita Hakrama
Redaktorë:
Afërdita Dema, Razo Sadushi
Përzgjodhi fotografitë:
Armida Plumbi
Paraqitja grafike:
Ilmi Shahu
Botues:
Shoqata Kulturore “Gruaja”