Rexhep Meidani – Rendi Global dhe Shteti-Komb
Në përgatitjen e këtij botimi të ri, krahas shfrytëzimit të një literature shumë më të bollshme e bashkëkohore, janë konsideruar e dimensionuar dhe mjaft ide, të trajtuara në disa botime të mëparshme. Në disa kapituj janë shfrytëzuar dhe pjesë të përfshira në botimin tim të parë shumë më të shkurtër, të titulluar: “Kurthet e shtetit-komb” (Toena, 2005), apo në variantin e tij në spanjisht: “Las trampas del Estado-nación” (Siddharth Mehta Ediciones, 2007). Po ashtu, për të ndihmuar lexuesin e interesuar, paralelisht me variantin aktual të librit, kam përgatitur dhe një material shtojcë mbështetur në një leksion të Ernest Renan-it (të titulluar: “Qu’est-ce qu’une nation?”), të mbajtur prej tij në Sorbonë, më 11 mars 1882 (E. Renan, Ç’është kombi?, Përkthimi, parathënia, komentet dhe plotësimet nga R. Meidani, Tiranë, 2018).

Edhe në të shkruarit e kësaj parathënieje i kam qëndruar të njëjtës ide, të shfrytëzuar edhe në botimin e parë. Është ajo që përshkon, në mënyrë sintetike, kapitullin e parë në librin e Mancur Olson-it: “Ngritja dhe rënia e kombeve” (Toena, etj. 2001), të përkthyer nga Gjergj Peçi. Në gjykimin tim, ajo përbën një tentativë relativisht bashkuese, një sintezë të pëlqyeshme, shpesh domethënëse e “paralajmëruese”, pavarësisht se diku ajo është relativisht divergjente me disa reflektime të mijat, kurse diku tjetër është relativisht konvergjente, deri në përputhje të plotë me to. Sidoqoftë, pa u futur në komente konkrete, duke e konsideruar atë material të dobishëm në përcjelljen e një mesazhi të qartë, kam vendosur që të citoj edhe këtu disa fragmente të hyrjes së asaj vepre serioze. Sipas këndvështrimit të autorit, vetë zhvillimi historik, mbi të gjitha vetë zigzaget bashkëshoqëruese të tij, kanë qenë të lidhura ngushtë me ngritjet dhe rëniet ekonomike, madje në një varësi pothuajse paralele me vetë ngritjet dhe rëniet e kombeve. Veçse, çdo ngritje apo rënie e tillë, krahas karakteristikave të drejtpërdrejta ekonomike, ka qenë, në një mënyrë apo tjetrën, rrjedhojë edhe e faktorëve objektivë e subjektivë, rastësorë e të domosdoshëm, në përputhje me kushte konkrete historike, me veçori gjeografike e natyrore, shoqërore e njerëzore, kulturore e teknikoshkencore. Me mjaft ndikim ka qenë vetë sistemi politik e qeverisës, mënyra e ndryshimit, rotacionit apo evolucionit të tij, e vetë vendimmarrjes politike, pa mohuar në atë vendimmarrje dhe rolin e përfaqësimit individual, tiparet specifike, por edhe frymëzimin kolektiv të nxitur prej tij.

Description
Titulli i librit:
Rendi Global dhe Shteti-Komb
Autor:
Rexhep Meidani
Redaktore:
Elona Zeraliu
Paraqitja grafike:
Ilmi Shahu
ISBN:
978-9928-174-50-5
Faqe: 596